20 vjet studim i HBSC në Maqedoninë e Veriut (2002 -2022)
E nderuara znj.-Gjorgievska, të nderuar mysafir,
Me këtë rast duam të përcjellim mesazhet e fëmijëve të 11, 13 dhe 15 vjeçarë si rezultat i punëtorive të mbajtura me nxënës të 6 shkollave fillore dhe të mesme në shtet, nga të cilat patë inserte në video materialin.
Me këtë rast fillimisht duam të ju drejtohemi prindërve tanë, sepse ata na edukojnë dhe na japin njohuritë e para për botën dhe luajnë rol shumë të rëndësishëm në jetën tonë sepse ata më së shumti (bashkë me profesorët) na ndihmojnë të krijojmë identitetin tonë personal.
Më pas, duam t’u drejtohemi profesorëve tanë, sepse shkolla është shtëpia jonë e dytë dhe ata na përgatitin për jetën e mëtejshme. Së fundi, duam t’u drejtohemi politikanëve, sepse ata e ndërtojnë dhe duhet ta përmirësojnë sistemin tonë arsimor përmes të cilit ne fitojmë njohuritë tona dhe përgatitemi për jetën tonë të mëtejshme.
Mesazhe për prindërit
Duam të ju themi prindërt tanë, se e rendësishme është të na kuptojnë (sepse kur ne ballafaqohemi me çfarëdo qoftë problemi më së pari ju drejtohemi atyre), të na mbështesin dhe me këshilla të na ndihmojnë si të veprojmë në ndonjë situatë, kur kemi çfarëdo qoftë problemi. Duam me ata të ndjehemi të sigurtë, pa turp dhe pa frikë ti ndajmë përvojat dhe problemet tona.
Për ne është e rëndësishme që ata të na kuptojnë dhe të marrin parasysh ndjenjat dhe nevojat tona në lidhje me shkollën dhe jetën e përditshme. Ne duam të kemi besim tek ata dhe komunikim të hapur që të mos ndihemi të vetmuar, por të lidhur. Jemi nën një lloj stresi të vazhdueshëm gjatë gjithë kohës për t’i bërë prindërit tanë krenarë dhe mund të jetë shumë demoralizuese kur ata na qortojnë për shkollën në vend që të na motivojnë, sepse duke e bërë këtë na dekurajojnë edhe më shumë.
Disa prindër nuk mund ta kuptojnë se ky është mjedis i ri për ne dhe do të na duhet një periudhë që të mësohemi me profesorët e rinjë, mësimin dhe ajo që na duhet nga ata në këtë periudhë është mbështetja e tyre e plotë dhe ndihma që mund të na japin.
Mesazhe për mësuesit
Ne do të donim një mësim modern dhe interesant që do të na motivonte për të pasur sukses dhe do ta bënte shkollën një vend ku do të dëshirojmë të shkojmë, ku do të përfshihemi dhe do të merret parasysh mendimi ynë. Përmbajtja mësimore duhet t’i përshtatet kohëve të reja dhe nevojave moderne të të rinjve. Ne duam gjithashtu që profesorët të mos i përmbahen atyre mënyrave të mësimdhënies që janë të sakta, por shumë më të ndërlikuara për t’u kuptuar. Lënda që ata japin është po aq e rëndësishme me të tjerët, por mund të jetë më e vështirë për t’u kuptuar dhe ne nuk mund ta arrijmë dhe kërkojmë që të na japin gjithmonë një shans të dytë, në mënyrë që të përmirësohemi dhe të provojmë veten.
Do të donim që arsimtarët të kenë qasje të njëjtë ndaj gjithë nxënësve, ndaj vajzave dhe djemve, të kujdesen për gjithë nxënësit njëjtë dhe me vëmendje, duke i pranuar ashtu siç janë. Do të donim profesorët të kuptojnë se të gjithë fëmijët kanë interesa dhe talente të ndryshme, të cilat ata duhet ti njohin dhe ti mbështesin.
Për politikanët
Mesazhi ynë për politikanët është të sigurojmë mbrojtje për të gjithë fëmijët dhe ligjet që do të përmirësojnë arsimin tonë. Fëmijët pa shtetësi, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që janë të sëmurë për një kohë të gjatë, që janë jashtë shkollës ose nuk kanë akses në shkollë, duhet të kenë të njëjtat mundësi për të mësuar dhe për të përparuar, si ne.
Hapsirat për mësim dhe sallat sportive duam të modernizohen, dhe për çdo fëmijë të sigurohet qasje pa pagesë për aktivitete sprotive, artistike dhe aktivitete tjera rekreative të cilat e zvogëlojnë stresin dhe e përmirësojnë shëndetin tonë mental dhe fizik. Të përmirësohet higjiena në shkollë dhe të sillen ligje të cilat do ta mbrojnë mjedisin jetësor nga ndotja. Duam të kemi ajër dhe mjedis të pastër.
Të ndryshohet fillimi i ditës së shkollës, sepse gjumi është shumë i rëndësishëm për fëmijët. Dhe së fundi, të kuptojnë se shëndeti mendor është gjithashtu shumë i rëndësishëm për fëmijët dhe të rinjtë.
Ne gjithashtu duam t’u drejtohemi bashkëmoshatarëve tanë:
Duhet të jemi të socializuar dhe të mos kemi turp të shprehim qëndrimin dhe mendimin tonë personal. Le t’i përkushtohemi mësimit sepse do të na sjellë përparim. Le të mësojmë të mbrojmë natyrën dhe të përpiqemi të jemi njerëz më të mirë.
Shumë nga ne nxënësit kur kemi probleme, ato i ruajmë për vete, madje nuk i ndajmë as me prindërit tanë nga turpi ose frika, por çdoherë kemi kujt ti drejtohemi. Prindërve, por edhe shërbimit profesional i cili është prezent në çdo shkollë. Ai nuk është aty që vetëm të realizojë masa për nxënësit e padëgjueshëm, përkundrazi, mundet ti ndihmojë çdo nxënësi për çfarëdo qoftë problemi të cilin e ka, dhe ta këshillojë si të veproj.
Faleminderit për këtë mundësi të mrekullueshme për të ndarë mendimet tona personale nga këndvështrimi i një nxënësi dhe shpresojmë që ju ka pëlqyer dhe keni arritur të kuptoni se si është për ne, fëmijët dhe të rinjtë e moshës 11-15 vjeç.
Altina Labenishti, 15 vjeç, shkolla e mesme Ibrahim Temo në Strugë dhe
Darian Cingarski, 15 vjeç, shkolla e mesme Orce Nikolov në Shkup
24.11.2022
Shkup
Per gjuhë maqedone ndiqni lidhjen: https://hbscmacedonia.wordpress.com/?p=2112
Напишете коментар